Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me poeten Suzana Zisi

/ On : 12:33 PM/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.

[[posterous-content:pid___0]]

Suzana Zisi, u lind në Vlorë në vitin 1967. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit në vitin 1990. Qysh atëherë e deri në vitin 2000, ka botuar krijimet e veta poetike në faqet e gazetave letrare të kohës.

Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak”. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ndër 5 vëllimet poetike më të mira, nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” në vitin 2005.

Në vitin 2006, botoi vëllimin e dytë poetik “ Imazhet kanë ftohtë”, me parathënie të studiuesit dhe poetit të mirënjohur, Agim Vinca. Në librin e saj të dytë, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmërie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale.

Në vitin 2009, shtëpia botuese "ODYSSEAS" në Athinë (Greqi), boton në gjuhën greke, vëllimin poetik “ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ .”,(Në shkretëtirat e heshtjes), përkthyer në greqisht nga poeti dhe perkthyesi i mirenjohur Niko Kacalidha.

Ne maj 2011, botoi vellimin e katert poetik “TË JESH... FJALË” - Shtepia Botuese “OMBRA GVG”, Ne kete liber, poetja rikonfirmon edhe nje here qe nuk eshte rastesisht ne udhen e poezise por, rrugeton me dinjitet dhe profesionalizem ne udhen e veshtire te artit poetik.

Shumë nga krijimet poetike të Suzanë Zisit, janë prezantuar jo vetëm në revista e gazeta letrare shqiptare por edhe në prestigjioze të huaja. Disa poezi të saj, në vitin 2008, janë botuar në revistën letrare franceze “Le capital des mots”. Së fundmi ajo është prezente edhe në revista letrare sllovene dhe kroate. Në poezinë shqipe pas viteve 90, Suzana Zisi ka spikatur gjithmonë e më shumë si një zë i vecantë poetik, modern dhe elegant.Jeton në Gjirokastër dhe punon në Universitetin “Eqrem Çabej” të këtij qyteti.

 [[posterous-content:pid___1]]

 “Zhurnal Plus”: Si do ta përshkruanit me disa fjalë vetveten?Pra, duam një autoportret Tuajin!

Suzana Zisi: E brishtë. E fortë. Mirënjohëse. Kaq. Tepër e vështirë të flasësh për veten.

 

 “Zhurnal Plus”: Për poezinë thuhet se është mbretëresha e arteve,se ajo është ari, proza argjendi e të tjerat vijnë pastaj, se poetët nuk e krijojnë atë, sepse ajo ekziston diku, poeti vetëm e zbulon atë…Rrugën deri te poezia si e gjetët? Ç`është poezia për ty? A mund të jetojnë njerëzit pa poezinë?

Suzana Zisi: Poezinë e gjeta brenda vetes. Isha 5 vjeçe kur shkruajta sprovën e parë.

Dëgjoja zëra brenda vetes të cilët më pëshpërisnin, më këndonin, më zhurmonin. Një ditë, duke i kërkuar ndihmë mësuesit për shkronjat që ende nuk i dija, arrita që “zhurmën” ta shndërroj në fjalë e mandej fjalët në vargje. Poezia ime e parë është kjo:

 

JAM

 

Jam vajzë.

Jam lule.

Jam bletë…

Po mjalti ku humbi?

Do të ta falja Ty…

 

Procesi i të shkruarit është një shtjellë që sa më shumë t`i japësh për të ngrënë, aq më tepër i shtohet oreksi… Gjatë gjithë jetës, unë e kam ushqyer këtë shtjellë me lexime dhe studime pa fund. Ende vazhdoj të jem lexuese me L të madhe dhe do vazhdoj të jem e tillë. Mendoj se një poet e ka detyrim ndaj poezisë, edukimin e shpirtit me të bukurën dhe me dijen. Kjo është një punë sublime, e gjatë dhe e lodhshme sa vetë jeta…

Çdo qenie me shpirt e ka poezinë përbrenda por poetët spikasin si të tillë për shkak të ndergjegjes specifike estetike që posedojnë e cila është, as më shumë e as më pak, një ngarkesë e pastër hyjnore.

Poezia është: Jetë + Frymë + Ëndërr + Ide + Filozofi + Ngjyrë + Imazh + Muzikë; të gjitha këto, të pleksura në  pëlhurën përrallore gjuhësore.

Poezia është kujtesë e asaj që ka kaluar, është harrim i atyre që kanë pasur destin vdekjen, është jehonë e asaj që lufton për të mbijetuar, është luftë e së sotmes  me të nesërmen, është triumf  i jetës mbi vdekjen.

Poezia për mua, është grimca e lumturisë, “Guri Filozofal”, thërrmija që krijoi botën(botën time sigurisht) dhe që unë guxoj ta përplas në realitetin që më rrethon, duke sfiduar veten e duke kërkuar që brenda saj të përfshij ata që e mbajnë gjallë duke e lexuar e duke gjetur veten aty.

 

[[posterous-content:pid___2]]

 

 “Zhurnal Plus”: Pse “E bardha është pak”?

Suzana Zisi: Sigurisht që është një metaforë por edhe sepse kjo e bardhë është vërtet pak. Sepse “e zeza” është murtajë, bakteri i së cilës e ha çdo çast të bardhën, edhe si kategori estetike dhe si dukuri filozofike,  edhe në të perditshmen tonë që për ta parë këtë të bardhë, na duhet “të shpikim” lupa të mëdha e të sofistikuara për ta gjetur…të strukur diku në ndonjë kënd të errët. E shoh gjithmonë e më pak këtë të bardhë, në hapësirën që arrin të përfshijë syri dhe mendimi im. Kjo më trishton.

 

 “Zhurnal Plus”: Vërtet “Imazhet kanë ftohtë”?

Suzana Zisi: Po, kanë ftohtë imazhet, përderisa ka ftohtë njeriu. Ka ftohtë bota ku ne jetojmë. Ka ftohtë shpirti. Ka ftohtë demokracia. Ka ftohtë dashuria e njeriut për njeriun…

 

 “Zhurnal Plus”: Si kalove në “Në shkretëtirat e heshtjes”?

Suzana Zisi: Teksa të gjitha llojet e armëve vrasin trupin, heshtja, është arma që vret shpirtin. Ajo ka një diapazon aq te gjerë, sa brenda saj humbet…si në një shkretëtirë.

Heshtja e njeriut përballë padrejtësive, përballë te drejtës së humbur, përballë lirisë së përdhunuar të fjalës, përballë impotencës intelektuale, përballë pamundësisë për t`u shprehur e realizuar, përballë marramendjes politike, përballë dhunimit të shpirtit, përballë frikës nga vetvetja, frikës nga dashuria, pamundësisë per t’iu kundërvënë vetes…

Ja në keto shkretëtira pa fund, brenda vetes dhe brenda njeriut, jam endur tek ai libër.

 [[posterous-content:pid___3]]

 “Zhurnal Plus”: Si mund “Të jesh… fjalë”?

Suzana Zisi: E kam identifikuar veten me fjalën, qysh prej fëmijërisë, kur ndodhesha aq larg të qenit fjalë dhe të qenit poete. Nuk  e kam patur të vështirë këtë dyzim. Fjala është ura që na lidh me lexuesin. Tek vellimi poetik “Të jesh…fjalë”, asnjë poezi nuk ka ardhur rastësisht. Është një kumt për lexuesin, tek i cili jam munduar të shkoj si një ligjërim poetik i botës, jetës, dashurisë, njeriut, gruas, fjalës…Nëpërmjet fjalës, lexuesi hyn brenda krijuesit dhe deshifron botën e tij njerëzore dhe poetike.

Ky identifikim, është fillimi dhe fundi…ështe starti dhe finishi i të qenit poet.

 [[posterous-content:pid___4]]

“Zhurnal Plus”: Si i zgjidhni titujt e përmbledhjeve tuaja poetike?

Suzana Zisi: Një vëllim poetik, nuk është zgjedhje e rastësishme.

Formësohet në një mënyrë të çuditshme që, edhe pse e ndiej, asnjëherë nuk e kam kuptuar.

Pasi ndiej që përhumbjes i vjen fundi dhe libri është gati “për të ardhur në jetë”, më kaplon ngërçi i titullit.

Përpëlitem më kot dhe ndihem e paaftë për ta pagëzuar.

Ai fle aty midis fletëve, i fshehur mes vargjeve, e unë nuk mundem ta identifikoj.

Dhe, “barra e rëndë”, i ngelet redaktorit tim të rreptë, i cili ka perzgjedhur të gjithë titujt e librave te mi.

Është bashkëshorti im Prof.as.Dr Roland Zisi.

Ai, duke më njohur mirë mua dhe njëkohësisht duke njohur po aq mirë poezitë e mia, besoj se nuk e ka të vështirë ta identifikojë, atë që duhet të jetë  kryefjala e një libri.

Pas sugjerimit, kam kuptuar që keta tituj janë pikërisht ata që meritojnë të përfaqësojnë identitetin vëllimeve poetike.

Më pëlqejnë titujt, janë përfaqësues, shprehës, koncentrat i asaj  çka unë kam thënë në ato libra.

 [[posterous-content:pid___5]]

 “Zhurnal Plus”: Kur shkruani, sa kohë merr përfundimi i një poezie?

 

Suzana Zisi: Poezia vjen tek unë si një cikël  i përfunduar brenda vetes.

Është një tjetër Suzanë brenda meje, ajo që e shkruan.

Mbledh përjetimet e mia, i pleks, i shpleks, i ngjiz dhe m`i sjell gati, në një formë të cilën kam frikë ta prek.

Thjesht unë e shkruaj në letër, kompjuter, celular apo makinën time të vjetër të shkrimit…

Mendoj se fjala gjendet lehtë nëqoftëse krijuesi zotëron idenë.

Poezia tek unë nuk vjen si një ngacmim i çastit.

Ajo është energji, ngarkesë emocionesh, ndjesish, të cilën e mbart brenda vetes gjatë, duke medituar  mes reales dhe ireales, derisa, ajo, duke më sfiduar mua dhe unin tim, gjen udhën për të dalë në dritë.

Shqetësimet, ndjesitë, përfundimet, ngacmimet që sjell jeta, teksa sillen rrotull në hullinë time të perceptimit, shkojnë dhe ngacmojnë një tjetër “unë”, i cili është hallka e fundit e rrethit vicioz të krijimit.

Poezinë, ky “pështjellim” ma sjell aq të plotë sa nuk guxoj ta  prek për ta përpunuar. Lëmimi i mendimit, bëhet instiktivisht gjatë procesit të ngjizjes dhe fermentimit brenda meje.

Pasi e kam sjellë në formën e shkruar, thjesht mundohem të bëj ndërhyrje të vogla në formë si p.sh. kur një fjalë është e përsëritur apo një tjetër që duhet zëvendësuar me një sinonim më elegant.

Jo te gjitha poezitë vijnë tek unë në këtë mënyrë.

Një pjesë e tyre, janë endur tek unë për vite të tëra, duke më ngacmuar e duke më provokuar ide dhe mënyra shprehjeje që përjashtonin njëra – tjetrën, deri në çastin ku njëra prej tyre mbizotëronte.

Ka poezi për të cilat më është dashur të punoj dhe të meditoj aq gjatë sa janë bërë pjesë e ekzistencës sime, si p.sh. poezitë: “Jam po ajo bebe”, “Puthja e djallit”,  “Shekspiri im”.

 

 [[posterous-content:pid___6]]

 “Zhurnal Plus”: Një kritik letrar thotë:“Poezia e Zisit është e thjeshtë në ndërtim dhe e pasur në ndjenjë. Ky fakt e bën poezinë e saj të dallueshme. Suzana Zisi është një njohëse e mirë e fjalës. Çdo mendim i saj shprehet nga fjalët duhura të renditura ashtu siç ato tingëllojnë më bukur, duke e shfaqur atë si një poete me fjalor të pasur, të pastër e të admirueshëm, çka i jep vulën e origjinalitetit identitetit të saj krijues.”Ç`duhet të ketë një poezi e mirë?Me çfarë lehtësie ose vështirësie e shkruani poezinë?

Suzana Zisi: Një poezi e mirë duhet të ketë nje ide/mesazh qe shkon tek lexuesi (madje edhe tek vetë poeti si lexues), nëpërmjet  filozofisë që mbart, madje edhe kur në pamje të parë nuk duket.

Poezia e mirë duhet ta bëjë lexuesin të mendohet, të hyjë më thellë tek ajo dhe të meditojë.

Poezia e mirë duhet të krijojë imazh, përfytyrim. Nëqoftëse gjatë leximit kjo tërësi e fjalëve, figurave dhe ideve, nuk shoqërohet me një imazh, atëherë nuk është poezi, por thjesht një lojë fjalësh.

Poezia e mirë duhet të ketë lëng, duhet të mbajë aromë njeriu dhe shqetësimi…aromë dashurie apo ankthi. Të ndjehet jeta duke pulsuar brenda saj. Atje ku ka një njeri të gjallë, ka edhe një vepër arti.

Një poezi e mirë duhet të ketë muzikalitet…

Fjala poetike duhet të rrjedhë lirshëm si një ujëvarë tingujsh me racionalitet.

Çehovi thotë: “Arti i të shkruarit, është arti i të shkurtuarit”.

Pra, një poezi e mirë duhet të jetë  konçize, e plotë dhe e përgjegjshme.

Duhet të qëndrojë si një entitet më vete dhe të përfaqësojë jo vetëm veten.

 

“Zhurnal Plus”: Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe ... Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë? A ka lënë gjurmë atmosfera e vendit ku u rritët në brumosjen e personalitetit tuaj?

Suzana Zisi: Kur isha femijë, bota ime ishin loja dhe libri…

Lojë ishte gjithçka më rrethonte.

Ndërsa librin, e kam identifikuar qysh së pari kur jam ndier njeri.

Jam lindur e rritur në një familje ku libri ishte më i shtrenjtë dhe më me vlerë se gjithçka tjetër materiale.

Jam rritur mes këtyre dy portave të cilat me ndihmuan të hyj në jetë e formuar dhe e përgatitur për sfidën e mbijetesës.

Loja, teksa rritesha u shndërrua në eksperiment (gjithmonë kam eksperimentuar me veten), ndërsa libri mbeti po ai, një magji e madhe që ende vazhdon të më përpijë si në çastin kur lexova fjalën e parë. Çdo libër më mahnit, sepse siç thote Borgesi, nga të gjitha mjetet që përdor njeriu, libri është më i habitshmi.

 

 

 “Zhurnal Plus”: A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë? Kush janë disa prej shkrimtarëve që e kanë formuar opinionin tënd?

Suzana Zisi: Po, janë dy njerëz, dy burra që kanë udhëhequr projektin tim letrar.

I pari është babai im, i cili më mëkoi me letërsi të përzgjedhur qysh prej foshnjërisë dhe më vonë në çdo hap të formimit dhe rritjes sime.

Është lexuesi më i madh që kam njohur në jetë.

Ai, diti të më ushqejë cilësisht dhe kjo është dhurata më e çmuar që më ka ofruar ai dhe jeta.

I dyti është poeti, shkrimtari dhe njeriu i madh e i mençur Teodor Keko i cili ishte  mik i vyer i babait dhe i familjes sime. Ne e kemi ende mik atë, pavarësisht se tani ai jeton në një trajtë tjetër. E kam njohur qysh në fëmijëri dhe sa herë vinte në shtëpinë tonë më fliste për poezinë, thelbin, qëllimin dhe mjeshtërinë e vështirë të saj. Ai mbetet engjëlli i dërguar tek unë për punët e poezisë dhe ligjërimit. Për këtë i mbetem përjetë mirënjohëse, Dorit, njërit  prej poetëve dhe prozatorëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Shkrimtarët dhe poetët që kanë qenë të pranishëm në formimin tim, janë të shumtë.

Më duhet të shkruaj një listë tepër të gjatë…

Iu jam mirënjohëse dhe i falenderoj  për  shpirtin, ndikimin, botën, kulturën, ndjesitë dhe  emocionet që më dhuruan!

 

 “Zhurnal Plus”: Dëshira për të treguar është e lashtë sa vetë njerëzimi. Ju keni zgjedhur poezinë për të treguar, po a është në gjendje poezia që të jap në mënyrë të koncentruar thelbin e jetës?

Suzana Zisi: Poezia, krijon një univers paralel me këtë që jetojmë.

Ajo nuk është rrëfim me një vijimësi logjike si proza e gjatë.

Vetë formati i saj i vogël, të krijon mundësinë për të gjetur mënyra shprehjeje koncize, me një fjalë -  të nënkuptosh shumë, me një tingull - të zgjosh ëndërra e të vesh në lëvizje botën. Po të mos ishin poetët, piktorët, muzikantët, bota do ishte ende në foshnjërinë e saj. Besoj se poezia është mënyra për të hyrë thellë brenda qenies. Ajo ka armë -  FJALËN, sepse siç e dimë “E para ishte fjala”.

Përmes poezisë, njeriu njeh veten.

Shpesh e gjejmë veten të përfshirë aq shumë brenda poezive që lexojmë, sa nuk arrijmë të kuptojmë se si një poet i para disa shekujve ka mundur të na lexojë shpirtin dhe trurin…se si ai/ajo, ka mundur të hyjë kaq thjesht në botën tonë të ndërlikuar.

Po, poezia e pasqyron thelbin e jetës.

Unë e kam gjetur.

Se sa poezia ime transmeton, këtë nuk jam në gjendje ta përcaktoj unë.

Është lexuesi ai që e vendos.

Mundohem të dua artin në veten time dhe jo veten time në art.

 

 “Zhurnal Plus”: Shkrimtari i mirënjohur Roland Gjoza duke u shprehur për poezinë tënde, shkruan: “Ndjeva femrën, rashë në dashuri me femrën, u ndava me femrën, gjithsesi kisha punë me femrën, aq sa edhe kur bëhej pjalmimi, degët mbusheshin me lule, më vinte afër femra, edhe kur vdiste vjeshta, më humbte nga pak femra, dëbora e dimrit ma ngrohte e ma ndizte çmendurisht, pranvera ma suferonte e m'i merrte mendtë e kokës. Në libër, pra ishte femra, në të gjitha fazat, gjer në amshim.” Femrat, për më shumë se 20 shekuj kanë shërbyer si muzë për poetin, pra si objekt, po tani që ato janë subjekt, që flasin për vetveten, cila mendon se shërben si muzë për ta, a është gjithnjë një burrë, muza(i) e një poeteje?

Suzana Zisi: Gjoza i referohet poezisë sime, jo muzës nga e cila është inspiruar ajo. Nuk mendoj se muza e një poeti është një femër dhe muza e një poeteje është një mashkull. Ky modalitet mendimi është i tejkaluar dhe i vjetëruar.

Poeti kur shkruan për dashurinë  mund të frymëzohet nga femra por kjo si një frymëmarrje apo shtysë për të fluturuar drejt thelbit.

Poetët nuk shkruajnë VETEN, nuk përcjellin vetëm atë që gjejnë në universin e tyre të brendshëm.

Nëqoftëse do ndodhte kjo, nuk do kishim art por thjesht një ditar individual.

Poeti, me apo pa dashjen e tij, shndërrohet në një ZË.

Poeti bëhet zëri i kohës së tij, përfaqësuesi i një grupi të caktuar njerëzish, bëhet mushkëria e një organizmi më të madh se sa mund të përfytyrojë ai vetë…

Frymezimi tek unë, nuk vjen në menyrë spontane si p.sh. nga një njeri i veçantë apo nga një emocion apo ndjesi e çastit.

Asnjëherë nuk kam shkruajtur poezi e nxitur nga një përjetim sporadik.

Gjithçka, ndodh brenda meje pas një “fermentimi” të gjatë dhe unë ende nuk di të them se si hyj apo dal nga kjo marramendje krijuese.

Ajo çka unë shoh, përjetoj, mënyra se si e perceptoj jetën, gjykimi, mënyra se si brezi im e sheh jetën, ankthet, vuajtjet, lotët, dashuritë…besoj se te gjitha këto i mbështjell hullia e krijimit, diku brenda meje dhe në “luftën” për mbijetesë, teksa shkatërrohen dhe rilindin sërish, vjen ajo: POEZIA.

Shpesh, teksa lexoj poezi që mbajnë autoresinë time, ndihem e huaj.

Përjetoj po ate gjendje që kam përjetuar teksa kam lexuar poezi të poetëve të tjerë.

Në ndonjë rast tjetër, nuk di si ta kuptoj poezinë, nuk di si t`u jap përgjigje pyetjeve që më lindin teksa e lexoj.

Më ka ndodhur që një poezi timen ta kuptoj më qartë teksa kam parë përjetimin e lexuesve të mi.

Krijohet një gjendje sa e bukur, po aq edhe e sikletshme.

Kjo është pjesë e vuajtjes së ëmbël që nuk përfundon as me krijimin e as me botimin. Vazhdon të të ndjek pas në çdo sekondë të ekzistencës.

Poezitë, bëhen hije, hije te cilat të ndjekin pas duke të mbushur e zbrazur njëherazi, duke të dhënë e duke të marrë...

 

 “Zhurnal Plus”: A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Si do ta përshkruanit rolin e kritikës sot në krijimtarinë e një poeteje?

Suzana Zisi:  Më intereson mendimi i kritikës letrare por nuk jam e ndërvarur nga ajo. Kam treguar respekt dhe për ata qe më kanë vlerësuar pozitivisht dhe për ata që më kanë kritikuar me dashamirësi. Jam totalisht kundër “kritikes” denigruese, ashtu sikundër jam kundër kritikës përkëdhelëse dhe glorifikuese. Raporti mes kritikës dhe vlerësimit është një raport i brishtë dhe shpesh herë abuzues. Vovenarg, filozof i madh frëng, ka thënë se është e lehte ta kritikosh një autor por është e vështirë ta çmosh. Ka raste që në hapësirën tonë kultrore, ndodh e kundërta, domethënë, çmohesh shumë dhe lehtë dhe kritikohesh pak ose aspak.

 

“Zhurnal Plus”: Leximi është art më vete.Sa gjen kohë për të lexuar? Sa lexon dhe çfarë lexon?

Suzana Zisi: Dikur, kur isha fëmijë, lexoja për orë të tëra, gjithçka, pa përzgjedhur.

Përpija romane apo vëllime poetike madje edhe libra që i kuptoja pak ose aspak se ishin letërsi për të rritur.

Pyesja babain të nesërmen dhe ai, me durim, më ndihmonte të kuptoja.

Kjo mënyrë të lexuari, më bëri që të rritesha dhe të kërkoja më shumë.

Kam lexuar në vijim shumë letërsi, filozofi, histori, psikologji, por, duke përzgjedhur cilësinë dhe materialet që më interesonin në çdo fazë të jetës.

Vazhdoj të lexoj shumë, edhe pse gjatë viteve të fundit, teksa shkruaja dy romanet, koha është zvogëluar disi.

Por, gjej hapësirë edhe në ditët më të ngarkuara me punë.

Dita me e gjatë ka qenë me 12 apo 13 orë lexim, ndërsa me e shkurtëra me 3 orë. Unë lexoj gjithçka që është letërsi e vërtetë, pavarësisht përkatësisë së rrymave,  emrave po drejtimeve letrare.

 

 “Zhurnal Plus”: Sipas jush ka ndryshim midis një shkrimtari dhe një shkrimtareje nga mënyra sesi e perceptojnë botën? A mund të ketë shkrimtaria një këndvështrim gjinor?

Suzana Zisi: Kjo është temë për të cilën është diskutuar gjatë, qysh kur letërsia është institucionalizuar e deri sot. Mendoj që ndarja  në letërsi femërore apo mashkullore, është jo vetem diskriminuese por mbi të gjitha aspak shkencore

Ka vetëm LETËRSI.

Nuancat e ngrohta të poezisë së një femre, nuk duhen interpretuar si tendenca përkatësie gjinore.

 

 

 

 

 “Zhurnal Plus”: Çfarë ju nevojitet për të shkruar? Shumë shkrimtarë kanë vese të ndryshme: disave nuk u pëlqen të shkruajnë drejtpërdrejtë në kompjuter, disa të tjerë e kanë të nevojshme të largohen nga shtëpia etj. Po ju?

Suzana Zisi: Poezia nuk ka nevojë për një vend të caktuar. Vjen kur do ajo, në gjumë, në punë, në mal, në udhëtim.

Është shtëpia, studioja ime e punës.

Përgjithësisht shkruaj në kompjuter.

Ndodh që nga ngarkesa e madhe e meditimeve të shkuara, zgjohem prej gjumit e shkruaj si somnambule, pa ditur se çfarë po shkarravis.

Të nesërmen, më duket si gjuhë e huaj teksa e lexoj.

Çuditërisht, edhe këto produkte të natës, janë të tilla që nuk kanë nevojë as të redaktohen. Vijnë të përfunduara në atë ciklin e mbyllur të unit krijues i cili vepron pavarësisht nga unë.

Ndërsa të shkruarit e një romani, është tjetër gjë.

Romani do kohë, përqëndrim, meditim, depërtim të thellë brenda vetes, dukurive apo fenomeneve, orë të gjata pune, vjedhje të kohës së gjumit.

Të gjitha keto, ndodhin në shtëpinë time. Është vendi më  i qetë dhe më tundues.

Unë e adhuroj tavolinën time të punës, laptopin, divanin, dyshemenë time.

Home sweet home…

Shpesh mendoj që një udhëtim i gjatë, një shkëputje nga e përditshmja, një endje nëpër botë, do jetë eksperiencë produktive.

Mbetet për t`u provuar.

 

 “Zhurnal Plus”:Agim Vinca thotë:” Me këto 4 libra dhe sidomos me këtë të fundit, ajo dëshmon që nuk është nisur rastësisht në udhën e poezisë.”, kurse Andi Meçaj:” Duke marrë shkas nga arritjet e deritanishme të librave poetikë të Suzana Zisit dhe duke besuar fort në vlerat e saj, presim të na falë në të ardhmen edhe befasi të tjera.”.Vërtet, kur do t`jua bëni lexuesëve surprizën e radhës?

Suzana Zisi: Janë duke pritur radhën e botimit një vëllim poetik, një sprovë letrare me prozë poetike, një roman i shkruar tre vite më parë dhe romani që jam duke e përfunduar.

Nuk nxitohem për t`i botuar.

Jam selektive dhe besoj se gjithçka e shkruar, ka nevojë për t’u riparë e rishkruar.

Besoj se deri në shtatorin e këtij viti, njëri prej librave do e shohë dritën e botimit.

 

Intervistoi: E. Neziri

 


http://suzanazisi.blogspot.com/

 

Google+ Followers

Flurudha Press

Botimet Shqiptare

Shtypi Shqiptar

MUZIKA DHE HUMORI SHQIPTAR

VIP Magazine

Sex, dashuri, intimitet

Shëndeti dhe bukuria

E shtuna magjike

Flurudha Press

Shqipëria është vendi më i mirë për t’u vizituar në vitin 2014

Shtypi

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara

Letërsi,ese,kritikë...

Contact

Name

Email *

Message *

Arkivi