Don Kishoti i komunës

/ On : 1:12 PM/ Ju falënderojmë për vizitën në këtë faqe.Për bashkëpunim na shkruani në lajmetari.tetove@gmail.com.

Themistokli TODHE

Zeqo Malua kishte tre legjislatura që qëndronte në atë detyrë si shef i zyrës së projekteve në komunën e Kaloshit. Kryetarët ndërroheshin sipas partive, ndërsa Zalua, si i thonë, s’lëvizte nga istikami. Dikush e quante shumë të zotin, ndërsa dikush tjetër e quante “servil i kryetarëve”, dikush tjetër e kishte quajtur edhe “kasaforta e kryetarëve”. E quanin kështu sepse projektet i drejtonte e komandonte Zequa dhe pjesën e luanit ua jepte me dorën e tij kryetarëve. Prandaj thosh vetë ai në biseda miqsh: Ha nga pak si miu, se të qërojnë po hëngre si ariu.
Me kryetarin e komunës së sapozgjedhur s’po i shkonin punët mirë. Ai kishte ardhur me tërsëllëm për të gjithë. Largoi nga puna gjithë stafin e kryetarit të parë brenda dy muajsh, ndryshoi zyrat, zgjeroi zyrën e tij, e bëri me paradhomë dhe si sekretare mori gruan e tij, Anifen, sepse ajo “i kish qëndruar pranë si këshilltare gjatë gjithë periudhës së votimeve, derisa u numërua dhe vota e fundit”.
- Për ty Zeqo kam dëgjuar fjalë të mira, por mua s’po më rezulton kështu ... A kupton apo jo?.. Ore Zeqo, më ton apo jo, ne duhet të ndryshojmë më gjithsej. Të kam thënë që te zyra ime në kat të dytë të nxjerrim një ballkon nja dy-tre metra të gjerë, se si i thonë fjalës, s’kam ku i them popullit dy fjalë.
- S’kemi para, zoti Kryeta.
- Jo, Zeqo jo, nuk e njeh gjendjen ti, a ton, nuk njeh gjendjen, se për kaq nuk duhen as investitorë e as donacione. Këto i ka komuna. Ata lart m’i kanë dhënë ca gjëra, apo jo?.. Ta ndryshojmë pak edhe sheshin e zyrave para komunës, se dhe këta njerëz të shohin pak ndryshim. Hajde, ec tani, punë Zeqo, bashkë me ata të tutë.
Pas disa ditësh kryetari e thirri Zeqon në zyrë e ai vuri re se kryetari e kish ndërruar krejt veshjen. Kishte vënë një kapele republike me strehë të gjerë jeshile të thellë si kokë rosaku, një këmishë rozë me një frak të zi dhe pantallona të zeza e të ngushta tub, deri në fund të këmbëve. Këpucët i kishte me një majë të gjatë, si për të krijuar përshtypjen se ishin mbathur për të shpuar.
- E paske ndryshuar lukun me gjithsej, zoti kryetar, si i thonë këta të rinjtë .
- Hë pra, e vure re menjëherë. Po të kam thënë, Zeqo, na duhe ndryshime të thella. Po ti s’po ndryshon. Ke mbetur me ata të partisë tënde që populli i rrëzoi me votë, a ton apo jo?
- Edhe ne ndryshojmë, zoti kryetar, me sira, - tha Zequa.
Pastaj hapi dosjen e madhe me shkresa, nxori një zarf ngjyrëkafe dhe e lëshoi në sirtarin e madh të kryetarit. Ulur në tavolinë përballë, po priste të merrte fjalën kryetari.
- Dëgjo, Zeqo. Kërkoj që të shtroj në mbledhjen e kryesisë së komunës disa projekte, që më kanë shkuar në mendje. Ne nuk do ta lemë kështu komunën e Kaloshit, shkretëtirë mes malesh. Duhet ta kthejmë në një zonë që të vizitohet nga turistët e vendit dhe të huajt. Ta bëjmë një vend që të kthehen të gjithë ata që kanë ikur këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Ne duhet të ngremë një kopsht zoologjik te “Kodra e Labit”, si i kanë pas thënë, a ton, apo jo? Të bëhet projekti, sepse donatorët na i gjejnë ata miqtë lart. - Dhe i shkeli syrin Zeqos, që donte të thoshte se i gjej unë.
- Po ç’do të fusim në kopshtin zoologjik, zoti Elmaz?
- E para, mos më ndërprit. E dyta, pse, s’kemi kafshë ne këtu në fshat?! Po zgjedhim ca dhi të mira, ndonjë lopë të mirë, ndonjë gomar të lartë, ndonjë dhelpër e zëmë, ndonjë pulë nga ato të racës së egër, e të tjera e të tjera. Ne na duhet të thithim donacione, fundi i fundit kush do t’i kontrollojë këtu në këto skërka?! - tha kryetari e pastaj shtoi: - Ik tani dhe i thuaj sekretares të vijë në zyrën time. Idetë që kam duhet t’i hedhim në letër, do t’i shtrojmë në kryesi e pastaj të marrin udhë.
Zeqo Malua sapo doli nga zyra e kryetari Elmazit, iu faneps sekretarja, kryetaresha. Duke e parë vetëm nga këmbët, lëshoi një zë si shtypje butonin: Të kërkon yt shoq! Ecte si i dehur, sikur të maste korridorin e zyrave të komunës. Fliste me vete: “O ç’thotë ky Don Kishot?! Ç’kopësht zoologjik do të ngrejë ky? Sikur këtu plasën njerëzit që të shikojnë dhitë e tij. Apo mos do të vijnë nga jashtë turistët që të shikojnë gomerët buzëbardhë që kemi ne. Po mirë mo, ky është Don Kishoti, po dhe unë ama jam Sançua që i vij pas avazit. Po ç’them dhe unë, unë bëj projektin, ai do të gjejë donatorët, ose do t’i tërheqë paratë nga arka e komunës... E po mirë, unë pjesën time, ai pjesën e tij dhe ec përpara. Pse unë do t’i mbaj në krah këta? Jo, mor Zeqo, jo! Kështu është puna në kapitalizëm.”
Në zyrën e tij gjeti dhe disa të tjerë që po flisnin për projekte, për rrugë e për rezervuarë.
- Pas disa ditësh, kryetari do të raportojë para popullit për punët që do të bëhen në tri vitet e para të punës së tij, prandaj po përgatisim materialin. Ballkonin ta kërkon shumë shpejt, - tha Zenepja, që ishte shefja e llogarisë dhe nënkryetarja e përhershme e organizimit të tenderave.
- Dakord - tha Zequa, - dakord, ta bëjmë ...
Kryetari, nga do që shkonte, në çdo takim e bisedë fliste për të ardhmen e ndritur të komunës. “Do ta kthejmë në qendër turistike lokale dhe kombëtare. Perspektiva jonë është e shkëlqyer, sepse çdo qindarkë shkon në favor të popullit...” Pas disa ditësh, thirri Zeqon në zyrë. Ishte si i lodhur e fraku i kishte shkuar shtrembër. Jaka e këmishës i qe përthyer dhe dukej sikur nuk e kish ndërruar prej dhjetë ditësh.
- Në mitingun që do të bëjmë nesër, ti Zeqo do më rrish pranë. De dëgjo, mos hajde atje i paveshur sikur ke dhjetë vjet që s’ke ngrënë bukë, me ato poture si Sanço Pançia...
- Pançua, - e korrigjoi Zequa.
- S’ka gjë, s’ka gjë, ton apo jo? Se nuk shkon kjo punë, unë me kollare e me frak, me kapelë që s’e ka njeri në zonën tonë, ti goxha drejtor me ato veshje sikur të kanë nxjerrë nga dëngjet e rrobeve të gabit.
Të nesërmen ballkoni i ri ishte mbushur plot. Më shumë njerëz kishte në ballkon, sesa në sheshin e komunës. Kryetari doli pak me vonesë, duke tundur dorën sa andej këtej. Buzqeshte, bashkonte dy duart e lidhte gishtat, që të tregonte më shumë dashuri. “Ne punojmë për prosperitetin, a ton apo jo, për të ardhmen, se ne vijmë nga partia e prosperitetit. Çdo gjë do bëjmë në komunë. Po ua them unë, dhe kërkoj besimin tuaj, se ato që themi ne do t’i bëjmë realitet, nga hapi në hap, nga dita në ditë. Ja, siç e shikoni, edhe ky ballkon është pjesë e punës sonë. Projekti i kopshtit zoologjik, projekti që lidh dy brigjet e lumit që kemi përballë, dy liqenet artificiale që do të përgatisim te përroi që kalon mespërmes komunës, do sjellim turistë nga brenda e nga jashtë.
- Po përroi s’ka ujë, - bërtiti dikush nga poshtë.
- Në dimër ka sa të duash, - i tha Zequa nga mbrapa.
- Ujin e kemi në dimër, por do bëjmë dhe çpime nën tokë, do ta nxjerrim edhe në behar, se donatorë kemi nga lart e projekte do të bëjmë...
Njerëzit filluan të lëviznin, të qeshnin, të bënin muhabet. Kryetari vazhdonte fjalimin, duke tundur këmbët e duart. Në fund lëshoi një parullë, por Zequa e tërhoqi për xhakete, si për t’i thënë: “Mjaft tani, se nuk po dëgjojnë gjë as ata që kanë mbetur”.
Kryetari i futi krahun dhe u drejtua për në zyrë.
- Mirë doli?
- Mirë, mirë, zoti kryetar. Po sikur pak kishin ardhur, - tha Zequa si i zënë në faj.
- Ajo është puna e tyre, ne e kryem punën tonë.
Zequa nuk foli.
- Mund të ikësh, - tha tjetri. - Kur të dalësh, foli një çikë sekretares të vijë në zyrën time.
Teksa dilte në korridor, Zequa thoshte me vete: “Na mbytën Don Kishotët! Por gjithsesi janë më të zgjuar se ai i Servantesit, gjejnë donatorë, bëjnë tendera. Kurse unë dredhoj këmbët sipas muzikës!”

Posted via web from Agjencia eMagic

Google+ Followers

Flurudha Press

Botimet Shqiptare

Shtypi Shqiptar

MUZIKA DHE HUMORI SHQIPTAR

VIP Magazine

Sex, dashuri, intimitet

Shëndeti dhe bukuria

E shtuna magjike

Flurudha Press

Shqipëria është vendi më i mirë për t’u vizituar në vitin 2014

Shtypi

Veze Sharri dhe Lecker

Më të lexuara

Letërsi,ese,kritikë...

Contact

Name

Email *

Message *

Arkivi